E konsideruar si forma më e thjeshtë e polifonisë shqiptare, iso-polifonia 2 zërëshe është e përhapur në të gjithë jugun e Shqipërisë. Iso-polifoninë dy zërëshe (marrje dhe prerje) e hasim si tek gratë ashtu edhe tek burrat. Përhapja gjeografike prek pa dallim pothuajse të gjithë hapësirën gjeografike të përfshirë në Toskëri dhe në Labëri si rrethet e Korçës, Librazhdit, Pogradecit, Kolonjës, Fierit, Shpatin e sipërm të Elbasanit, Myzeqenë bregdetare, Myzeqenë e Vlorës, qytetin e Vlorës, lumi i Vlorës, fshatrat e Beratit, Mallakastër, Gjirokastër-qytet, Lunxhëri, etj. Është vëmë në dukje se polifoni me dy zëra e dy këngëtarëve këndohet, kryesisht nga gra të qytetit të Gjirokastrës, burra të fshatit Dukat të rrethit të Vlorës. Lidhur me këndimin e veçantë të dyzërëshit nga Dukati, mendohet se ndeshet më rrallë dhe ka një shtrirje hapësinore dhe gjinore më të kufizuar. E ndeshim këtë mënyrë ekzekutimi vetëm nga dy individë, te gratë shqiptare të Maqedonisë të zonave të Dollit, Zajazit, Kërçovës, Tetovës, etj., në Labëri vetëm në fshatin Dukat të rrethit të Vlorës dhe të ekzekutuar vetëm nga burrat, ndërsa në Toskëri në disa fshatra të Myzeqesë bregdetare dhe kryesisht në brezin e grave të reja. E ndeshim këtë lloj dyzërëshi edhe në Arbëreshët e Kalabrisë ku ka një përhapje dhe një përdorim të gjerë edhe sot e kësaj dite. Sipas opinionit të Lorenc Antonit këngët dy zërëshe të Kërçovës do të jenë krijuar ndoshta të frymëzuara prej të kënduarit shumëzërësh të toskëve fqinjë. Megjithëse janë bërë lloj-lloj klasifikimesh duke u ndarë në variante të shumta, iso-polifonia dy zërëshe mbart në përgjithësi marrëdhëniet ndërmjet marrësit dhe prerësit, tipar thelbësor ky i iso-polifonisë jugore, si në Toskëri dhe në Labëri, pavarësisht sasisë së njerëzve në interpretimin e saj. E rëndësishme të theksohet është se si tip qëndror është dy zërëshi me ison e fshehur përgjatë zhvillimit melodik të zërave. Për mendimin tim, dy zërëshi në përgjithësi nuk duhet konsideruar si një stad i parë i shumëzërëshit polifonik. Theksoj faktin se sipas meje iso-polifonia nuk ka patur ndonjë zhvillim historik në formimin e tipareve të saj me dy, tre apo katër zëra por gjithmonë ka funksionuar si një lëndë e përbashkët e cila ka qënë thërmuar në këto trajta të klasifikuara si të tilla. Prandaj dy zërëshi iso-polifonik në dukje është një dyzërësh, por nga funksionet që kryen është një “tre zërësh i fshehur”, i “reduktuar” në dy zëra. Ajo ç’ka tjetër duhet thënë është e lidhur me faktin se nuk mund të ketë klasifikime të dyzërëshit nisur vetëm nga konstatime melodike, apo qoftë edhe nga preferencat ritmike të këngëve. Nuk mund të ketë dy zërësh jashtë konceptit të iso-pedalit, veçori e cila përfshin gati të gjitha format e ekzistencës së dy zërëshit në muzikën iso-polifonike jugore.

Autori: Prof. Dr. VASIL S. TOLE ( Informacioni është marr nga www.vasiltole.com)